Shqip.com me mbulim special të takimit në Ohër

Sot e shtunë (18 mars) në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë mbahet takimi i nivelit të lartë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

E, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thonë se takimi në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të fokusohet “në finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i prijë delegacionit të Kosovës, ndërsa Aleksandar Vuçiq atij të Serbisë.

E këto dy delegacione do të kenë takime fillimisht bilaterale me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Takimet pritet të fillojnë nga ora 10:30, pas së cilave pritet të zhvillohet takimi trilateral, Kosovë-Serbi-BE.

Se kur pritet të mbyllet kjo ditë dhe me çfarë epilogu, nuk dihet. Por, në fund, Borrelli pritet të mbajë një konferencë për media.

Takimet do të zhvillohen në përpjekje për të arritur akordim për aneksin e marrëveshjes së njohur si plani evropian. Aneksi parasheh planin e zbatimit të propozimit evropian. Në këtë aneks, si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë dhënë propozimet e tyre, për të cilat sot do të diskutojnë.

Për të gjitha këto, shqip.com, do të kenë mbulim special gjatë tërë ditës.

Ndryshe, tre javë më parë, në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq, ranë dakord për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim i paraqitur nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e fortë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata ranë dakord se ky propozim do të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu ka falënderuar Maqedoninë e Veriut, për ofrimin e vendit të këtij takimi të rëndësishëm, dhe për mbështetjen e përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tutje, ai ka thënë se, peizazhi i bukur i Ohrit do të krijojë atmosferën e bukur e të nevojshme për të arritur një marrëveshje.

Ndërsa, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë para takimit ka thënë se nga takimet e mbajtura në Prishtinë dhe Beograd, dyja palët e kuptojnë se kjo marrëveshje e mundshme mund të zhbllokojë shumë mundësi.

Escobar është shprehur i bindur se takimi në Ohër do të ketë rezultate dhe do t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër njëra-tjetrës, më afër rajonit dhe më afër Evropës.

“Gjëja më e rëndësishme që shpresoj Kosova do të sinjalizojë është se qeveria e Kosovës e pranon detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e rëndësishme. Për Serbinë ka shumë kërkesa të tjera nga të gjitha ato përfiton Kosova. Pra, dëshiroj të shoh pranim të detyrimeve dhe Aneksi do të ofrojë mundësi se si të ecet përpara për të gjitha to”, ka thënë Escobar.

I dërguar i posaçëm i SHBA-ve, nuk ka pranuar të flas për pasojat nëse marrëveshja refuzohet, por ka folur më shumë për përfitimet.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për takimin që do të mbahet sot në Ohër. Ai ka thënë se shpreson për një bisedë të mirë, ndërkohë për atë nëse do të ketë lëvizje përpara ka thënë se s’është shumë optimist.

Sa për Serbinë, ne jemi gjithmonë të gatshëm të diskutojmë një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiq.

Tutje, Vuçiq ka thënë se udhëton në Ohër për të përfaqësuar interesat shtetërore të Serbisë.

Unë s’po udhëtoj në Ohër për mesazhe, por për të repreznatuar interesat e shtetit e Serbisë dhe njerëzve tanë në Kosovë”, ka shtuar tutje Vuçiq.

Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i hap rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, duke shtuar se Kosova në Ohër shkon me mendësinë e arritjes së një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë dhe prosperitet. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi dhe shpresë për rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë marrëveshje mund ta dëmtoj procesin e dialogut. Jam e bindur se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete, integrimin Kosovës në institucionet euroatlantike”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalën e tij, duke diskutuar për propozimin evropian, ka thënë se kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe nuk realizon qëllimet shtetërore të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Nga një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë në qendër, sot, fatkeqësisht, Kryeministri Kurti i ka sjellë vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, ka thënë Krasniqi.

Po ashtu, edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Albin Kurtin për qasjen që ka pasur kur ishin në opozitë.

Hamiti ka thënë se VV-ja marrëveshjet që i ka kundërshtuar në opozitë i ka pranuar kur ka ardhur në pushtet.

I kundërshtuan me dhunë në Kuvend kur ishin në opozitë. I pranuan/pranojnë paqësisht kur janë në pushtet. Siç u ka hije mashtruesve. Kauzat: demarkacioni, Asociacioni”, ka thënë Hamiti.

Ndryshe, nga dy partitë opozitare, AAK-ja është e vetmja parti opozitare që po e përkrah këtë dokument.